E Diel, 1 Nëntor 2026

“Adopto një film”/ Nisma e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nis me restaurimin e filmit “Mimoza llastica”

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Nisma më e fundit “Adopto një film për restaurim” e lansuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, synon të përfshijë publikun dhe dashamirësit e kinemasë shqiptare në ruajtjen e trashëgimisë sonë filmike, duke u dhënë mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në restaurimin e filmave të vjetër.

Të gjithë të interesuarit mund të shprehin dëshirën e tyre për të mbështetur restaurimin e një filmi përmes rrjeteve sociale të institucionit ose duke kontaktuar në adresën zyrtare të emailit. Emrat e kontribuuesve do të përfshihen në titrat hyrës të filmit të restauruar, si një formë mirënjohjeje publike, dhe do të bëhen të njohur edhe në media.

Filmi i parë që do të restaurohet në kuadër të kësaj nisme është Mimoza Llastica, një nga veprat më të dashura të kinemasë shqiptare për fëmijë. Restaurimi i tij po bëhet i mundur falë mbështetjes së aktores Teuta Doci, pjesë e kastit të filmit, e cila ka vendosur të kontribuojë në rikthimin e tij në cilësi të përmirësuar për brezat e rinj.

Kjo iniciativë hap një kapitull të ri në mënyrën se si trashëgimia kulturore mund të ruhet dhe të rijetësohet, duke bashkuar institucionet dhe publikun në një mision të përbashkët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›