Olimpiada Evropiane e Matematikës në Lituani, dy nxënës shqiptarë vlerësohen me çmime

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Dy nxënës shqiptarë kanë arritur sukses në arenën ndërkombëtare të dijes, duke përfaqësuar veten, por edhe Shqipërinë me rezultate të shkëlqyera në edicionin e parë të Olimpiadës Europiane të Matematikës, zhvilluar në Lituani.
Jamarbër Rushitaj dhe Marius Gjika janë dy nxënësit, që u vlerësuan në Olimpiadën Evropiane të Matematikës, duke u nderuar me medalje bronzi dhe nderi.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u shpreh se “flamuri shqiptar vazhdon të lartësohet falë talentit dhe punës së palodhur të nxënësve tanë dhe këtë herë janë Jamarbër Rushitaj dhe Marius Gjika ata që na bëjnë krenarë me arritjet e tyre të shkëlqyera në matematikë”.
“Pas suksesit si fitues në Olimpiadën Kombëtare, ata shënojnë arritjen e radhës në Lituani, ku u mbajt edicioni i parë i Olimpiadës Europiane të Matematikës. Mariusi arriti të nderohet me Medalje Bronzi, ndërsa Jamarbri u vlerësua me Medalje Nderi për performancën e tij dinjitoze në këtë garë të njohurive dhe logjikës”, tha Kumbaro, duke shprehur mirënjohje për këta kampionë që përfaqësojnë vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Olimpiada Europiane e Matematikës konsiderohet një platformë e rëndësishme për të rinjtë e talentuar nga vende të ndryshme të botës, ku ata testojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në një mjedis ndërkombëtar.
/e.i/j.p/