E Diel, 1 Nëntor 2026

Agility Group/ Pse filipinasit preferojnë Shqipërinë më shumë se Dubain?

Shqipëria po zhvillohet vitet e fundit me një kontrast gati të çuditshëm. Kemi një rritje ekonomike, kemi vende të reja pune, kemi edhe rritje pagash, por kemi edhe emigrim të shqiptarëve jashtë vendit, duke bërë që mungesa e fuqisë punëtore të jetë një nga kërcënimet kryesore të ekonomisë.

Por cila është zgjidhja?

Kompani rekrutimesh i vijnë në ndihmë biznesit, duke gjetur punëtorë nga jashtë për të mos cenuar aktivitetin ekonomik. Një prej tyre është edhe “Agility Group” me zyra në Shqipëri, rajon e më gjerë.

Administratorja e përgjithshme Suzana Aga tregon se si ka ndryshuar ndër vite kërkesa për të huaj në ekonominë shqiptare.

“Së pari sa u futëm në treg bëmë disa analiza dhe verifikuam kush janë shtetet që kanë qëndrueshmëri. Ka ndryshuar kërkesa. Nëse më parë na vinin për fasoneri, tani sjellim punëtorë nga çdo sektorë, sallon bukurie, furrë buke lavash etj. Kërkesat ka qenë në rritje çdo vit, sepse hapësirat çdo vit bëhen më të mëdha. Mesatarisht rekrutonim 80 punëtorë në muaj  tani jemi në shifrat e 120 punonjësve në muaj. Është trend besoj  që do të vijojë për disa vite në këtë mënyrë, derisa të kemi një përputhje të kërkesë dhe ofertës”, tha Aga për emisioni “E-ZONE”.

Shifrat e rritura të punëtorëve të huaj konfirmohen dhe nga INSTAT. Të dhënat tregojnë se numri të huajve në vendin tonë arriti në 2024 në afro 22 mijë, me një rritje 2.2% krahasuar më një 2023.

Ndërkohë ajo që vihet re është që vitet e fundit ka një rritje të numrit të të huajve që vijnë nga Turqia, India dhe Filipinet.

Për CEO-n e “Agility Group” shtetasit nga Filipinet janë të duhurit për bizneset shqiptare.

“Punonjësit e huaj sidomos nga Filipinet dhe India e përmbushin kërkesën që kanë bizneset shqiptare. Vijnë dhe qëndrojnë më gjatë. Shtetasit nga India dhe Filipinet kanë certifikata, janë të certifikuar dhe klientët rekrutojnë atë që duam atë që kërkojnë”, tha Aga.

Mund të tingëllojë paradoksale, por shumë prej shtetasve nga Filipinet ndihen më të lirë për të jetuar dhe punuar në Shqipëri se sa në Dubai.

“Gjenden shumë mirë. Migrojnë në shtete si Dubai apo Katar. Atje kanë një jetë mbyllur, ndërsa në Shqipëri janë më të lirë. Ne si kompani kemi punuar me shumë prej tyre. Ne në  Agility kemi punësuar një familje  të tërë, bashkëshortin si shofer, bashkëshorten si agjente punësimi si dhe të bijën si agjente marketing. Pra politika jonë nuk është vetëm rekrutim punonjësish, por tenton edhe bashkimin e familjeve”, tha Aga.

Michelle Pasaoa, nga Filipinet punon në kompaninë Agility si agjente. Ajo thotë se ka jetuar për nëntë vite në Arabinë Saudite, por i pëlqen më shumë Shqipëria.

“Kam punuar për vite me radhë në Dubai. Atje ka shumë rregulla strikte. Duke nisur që nga veshja që të kufizon. Në Shqipëri ka më shumë liri në çdo aspekt. Ambienti është  këndshëm ka më shumë larmirshmëri”, u shpreh Pasaoa.

Pas Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, hapi i radhës i “Agility Group” është hapja e filialit në Bosnje-Hercegovinë. Nevoja për punëtorë të huaj po rritet gjithnjë e më shumë dhe sinjalet që vijnë nga tregu janë që edhe për të paktën pesë vitet e ardhshme kjo kërkesë do të jetë në rritje.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›