Agjenda e Samitit të Diasporës/ Hoxha: Tre ditë bashkëpunimi me shqiptarë nga e gjithë bota

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ministri i jashtëm Ferit Hoxha ka publikuar agjendën e Samitit të Diasporës, i programuar për tu mbajtur në datat 13-15 prill në Tiranë.
“Përmes Rrënjëve Lartësohemi, Të Bashkuar Forcohemi”, është motoja e Samitit, ndërsa ministri shkruan ndër të tjera se, tre ditët e tij do të jenë “tre ditë energjie, idesh dhe bashkëpunimi me shqiptarë nga e gjithë bota”.
Samiti i prillit është konceptuar si një hapësirë diskutimi mbi marrëdhënien e re të Diasporës shqiptare dhe shtetit të tyre amë, me qëllimin për ta kthyer atë në potencial të zhvillimit të vendit.
POSTIM I MINISTRIT HOXHA NË X:
“13–15 Prill 2026 | Tiranë, në Atdhe
“Përmes Rrënjëve Lartësohemi, Të Bashkuar Forcohemi.”
Tre ditë energjie, idesh dhe bashkëpunimi me shqiptarë nga e gjithë bota
Një samit që synon të kthejë lidhjet në veprim dhe vizionin në mundësi konkrete për të ardhmen.
Zbulo programin e detajuar të Samitit IV të Diasporës këtu
Plotëso formularin, zgjidh panelet që të frymëzojnë dhe rezervo vendin tënd!
Pak ditë më parë, me një letër publike drejtuar të gjithë emigrantëve shqiptarë, kryeministri Rama i fton të bëhen pjesë e Samitit 3 ditor të Diasporës.
“Zgjedhjet që lamë pas treguan se Shqipëria nuk është më një vend me kufij të ngushtë gjeografikë, por një komb që merr frymë dhe vendos kudo ku rreh një zemër shqiptare. Për herë të parë, zëri juaj u konkretizua përmes votës suaj të drejtpërdrejtë”, thuhej ndër të tjera në letër.

Ky është edicioni i katërt i Samitit të Diasporës, i organizuar për herë të parë në vitin 2023.