Agjenda e reformave, Ulens: Shqipëria po përparon në drejtim të menaxhimit të financave publike dhe në performancën fiskale

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Wim Ulens, u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime në drejtim të menaxhimit të financave publike, si dhe në performancën fiskale.
Sipas tij, vendi ynë ka akoma shumë sfida përpara për sa i përket mjedisit, raportimit financiar dhe ndryshimeve klimatike.
“Ne kemi tri kërkesa për ju në drejtim të stabilitetit mikrofinanciar, transparencës në buxhet dhe menaxhimit të financave. Duhet thënë se performanca fiskale e Shqipërisë është përmirësuar, megjithatë mbeten sfida të përgjithshme lidhur me ndryshimet demografike dhe klimatike. Ka pasur progres në fusha të menaxhimit të financave publike, ku janë miratuar disa strategji. Fushat që duhet të përmirësoni janë PPP-të, regjistrimi i aseteve publike, ku presim më shumë progres,” deklaroi z. Ulens.
Gjatë takimit të parë të Komitetit të Monitorimit, drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Eridana Çano, tha se Faciliteti i Rritjes dhe Reformave e ndihmon Shqipërinë në realizimin e reformave në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ky instrument duhet të përshpejtojë reformat dhe të forcojë ekonominë tonë, të fuqizojë njerëzit tanë, të digjitalizojë shoqërinë, ta bëjë sistemin tonë energjetik të gjelbër, gjë që është mjaft e vështirë, dhe të konsolidojë sundimin e ligjit. Është projektuar për të garantuar që çdo euro të jetë e lidhur me rezultate të verifikuara,” tha znj. Çano.
Raportime për sa i përket ecurisë së reformave pati edhe nga përfaqësues të ministrive të linjës, si dhe institucione të tjera shtetërore.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/