E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi, mundësi për të nxitur vetëpunësimin

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ftoi  fermerët dhe sipërmarrësit në sektorin agroushqimor të aplikojnë për të përfituar nga mundësitë financiare të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, duke kujtuar se kanë mbetur vetëm 7 ditë deri në mbylljen e aplikimeve më 30 shtator.

Salla u shpreh në një postim në rrjetet sociale se Skema Kombëtare e Investimeve ofron mbështetje për 9 masa të ndryshme, të fokusuara në modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit.

Masat e mbështetjes i adresohen sektorëve: Ndërtimin e serrave të reja diellore; Mbjellje të reja bujqësore; vendosjen e rrjetave antibreshër; instalimin e sistemeve të ujitjes me pika; ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimenteve për shpendë; mekanizimin e bujqësisë dhe investime në agropërpunim, agroturizëm dhe akuakulturë detare.

Mbështetja financiare që ofron skema përfshin:
• Grante deri në 50% të vlerës së investimit
• Kredi me interes të subvencionuar prej 2%
• Garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, për të lehtësuar aksesin në financim

“Kjo është një mundësi reale për të modernizuar bujqësinë shqiptare, për të rritur prodhimin vendas dhe për të nxitur vetëpunësimin në zonat rurale”, u shpreh ministri Salla.

Këtë vit Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 me vlerë 20 milionë euro, i janë shtuar edhe dy instrumente financimi për investime që janë kredia e buta dhe garancia sovrane.

Ndërkohë Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024 financoi 360 kërkesa të kualifikuara për subvencion me vlerë totale të kërkesës prej 1,2 miliardë lekë.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›