E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agron Shehaj dy muaj jashtë Kuvendit, rrëmbeu dokumentin konfidencial, PS kërkon kallëzimin në SPAK për katër akuza

Sekretariati i Etikës vendosi një dënim të rreptë për deputetin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili nuk do të mund të jetë pjesë e punimeve të Kuvendit për 60 ditë.

Vendimi për përjashtimin e Shehajt do të hyjë në fuqi në momentin që sesioni i ri do të nisë në shtator.

Një ditë më parë, Shehaj rrëmbeu dokumentin e cilësuar si kofidencial për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për fuqizimin e forcave të armatosura.

Por teksa drejtuesi i Partisë Mundësia rrëmbeu dokumentin, punonjësja që e ndiqte nga pas u rrëzua nga shkallët.

Vendimi i sekretariatit nuk mjafton për mazhorancën. Socialistët gjithashtu kanë bërë gati një shkresë urgjente, ku i është kërkuar Parlamentit të kallëzojë Agron Shehajn në SPAK për 4 vepra penale.

Përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, grabitja, sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante dhe pengimi i detyrës së funksionarit publik.

Lidhur me çështjen të hënën, Shehaj u shpreh se dokumenti nuk doli kurrë nga ambientet e Parlamentit, duke e cilësuar si një manovër të PS-së për të penguar pjesëmarrjen e tij në punimet e kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›