E Martë, 3 Nëntor 2026

Ahmeti: Iniciativë rajonale për t’u bashkuar me tregun evropian të energjisë elektrike

TIRANE, 29 prill /ATSH/ Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Petrit Ahmeti, tha sot se është bërë një iniciativë e përbashkët rajonale mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Kosovës për t’u bashkuar me tregun rajonal evropian të energjisë elektrike, sa i takon rregullave dhe bazës legjislative.

Në takimin e zhvilluar në Fier, ku të pranishëm ishin edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, si edhe Kryeministri dhe njëherazi Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i ERE-s tha se harmonizimi i sektorit të energjisë elektrike me sektorin privat, mbetet një element shumë i rëndësishëm, që kërkon unifikim në kuptimin e rregullave të tregut, përtej interesave private.

“Ky sektor u mor nga një gjendje shumë e keqe me të gjithë treguesit qe ka pasur sektori energjetik me një nivel humbjesh prej 45%, që do të thotë një sistem me këtë humbje duhet të falimentojë. Pati një vullnet politik të shtetit shqiptar që u interesua dhe ju vu forcë për rritjen e efiçencës dhe gjithë kapaciteteve njerëzore për drejtimin e këtij sektori për të arritur në nivele evropiane. Të krahasojmë një nivel humbjesh 45% me një nivel humbjesh prej 18-19-20% është një element që duhet vlerësuar”, tha ai.

“Kjo u arrit mbi bazën e një pune, vendosmërie, njohurive dhe objektivave shumë të qarta që u vendosën për zhvillimin e këtij sektori. Një nga elementët e rëndësishëm është siguria e furnizimit me energji elektrike. Ka qenë me një nivel sigurie më të ulët, sepse shumë defekte që ndodhnin në sistemin elektroenergjetik shkaktonin ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike. Kohët e fundit kemi pasur tronditje të sistemit, por nuk kanë ardhur nga pala shqiptare dhe ky ka qenë konkluzion i gjithë ekspertëve të BE-së që e trajtuan këtë çështje”, vijoi Ahmeti.

Kreu i ERE-s u ndal edhe te reforma tarifore dhe vendimi për ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike për popullatën, një vendim që sipas Ahmetit erdhi si rezultat i rritjes së efiçencës së sektorit elektroenergjetik, i cili mundësoi marrjen e këtij vendimi.

“Ky vendim mund të shoqërohet edhe me vendime të tjera më vonë, por jemi ndër të paktat vende Evropës Juglindore që kemi ndërmarrë këtë reformë. Flasim për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, shumë shpejt ne diskutojmë që të gjithë konsumatorët që janë të lidhur në nivelin, 6,10 dhe 20 dhe 35 kWh të dalin në tregun e lirë dhe kjo garanton edhe fuqizimin e konsumatorëve të tjerë, siç janë ata vulnerabël që është pjesa e popullsisë”, pohoi ai.

“Ky liberalizim i tregut do na çojë në një garanci më të madhe të sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Shqipëria llogaritet nga 365 ditë të vitit në 300 me diell dhe është nga kapacitetet e pashfrytëzuara plotësisht, por mbi bazën e orientimeve janë dhënë të drejta për centralet fotovoltaike, të cilët mbi bazën e një mekanizmi, mund të kombinohen me energjitë e tjera. Kemi edhe energjinë e biomasës që mund të jetë një nga elementët e burimeve shumë fitimprurëse”, tha kreu i ERE-s.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›