E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ajola Xoxa: Shpenzova 75 mijë euro! Bashkëshotrja e Veliajt: Shuma është harxhuar për blerje online në 10 vjet

Ajola Xoxa mohon kategorikisht akuzat se ka blerë 860 mijë euro rroba, duke e quajtur shifrën lebetitëse.

Në një reagim të gjatë në Facebook, gruaja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj thotë se ka kryer ekspertizë financiare për të hedhur poshtë provat që SPAK ka kundër saj.

Dhe të dhënat që  dalin nga llogaritë e saj flasin vetëm për 75 mijë euro blerje online në 10 vjet.

Ajola Xoxa: Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025).  Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit.

Xoxa u vetëmbrojt duke thënë se është mirëpaguar për të gjitha punët që ka bërë si juriste.

Ajola Xoxa: E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustanë dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh, fillimisht në dy prej studiove më të mëdha të vendit, e më pas me studion time, me një numër të madh klientësh e bashkëpunëtorësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale.

Po aq, Xoxa shprehet se ka trashëguar prona nga familja e saj.

Ajola Xoxa: Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të ardhurat e mia në vite janë të deklaruara dhe publike. Unë nuk kam patur KURRE ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik mediatik. Nuk kam as fustane apo të brendshme me vlera absurde, sikurse ndonjë gazetar/e ka thënë.

Aktakuza e dy prokurorëve të SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, është valle shpatash e bllof i dhunshëm, thotë Xoxa, duke njoftuar se betejën ligjore do ta çojë në Strasburg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›