Akademia e Forcave të Armatosura: Begaj ka qenë pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak, shlyem detyrimet e prapambetura

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Akademia e Forcave të Armatosura përgënjeshtroi sot të gjitha akuzat e ditëve të fundit në lidhje me pagesat e kryera ndaj Presidentit Bajram Begaj, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Në një deklaratë për mediet, AFA sqaron se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në funksionet e tij të mëparshme si mjek ushtarak, ka qenë në të kaluarën pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak së bashku me një staf akademik prej 15 profesorësh dhe është angazhuar në udhëheqjen e temave shkencore të ciklit të tretë të studimeve (Doktoratë) në periudhën 2013–2018 pranë AFA.
Në lidhje me pagesat të cilave i janë referuar disa medie, në deklaratë thuhet se “për angazhimin e stafit akademik gjatë viteve 2013–2018, Akademia e Forcave të Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me aktet nënligjore që rregullojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë, ka shlyer gjatë viteve 2022 dhe 2024 detyrimet e prapambetura financiare ndaj të gjithë personelit akademik të përfshirë në këtë proces”.
Procesi, sipas AFA-s, është zhvilluar në mënyrë të barabartë, transparente dhe me dokumentacion të plotë financiar e administrativ, i cili mund të verifikohet nga çdo institucion kompetent.
“AFA mbetet plotësisht e hapur për çdo verifikim nga organet përgjegjëse dhe fton median të ushtrojë misionin e saj mbi bazën e fakteve të verifikuara, duke shmangur keqinformimin e opinionit publik”, thuhet në deklaratën e AFA-s.
Dy ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi nga Kuvendi fillimin e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Sipas tij, Begaj ka konsumuar 7 shkelje kushtetuese të rënda, ndër të cilat rendit edhe përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës.
/m.m/j.p/