HUNGARI – Putini nuk do të arrestohet nëse merr pjesë në samitin me Trump në Budapest

BUDAPEST, 17 tetor /ATSH-DPA/- Hungaria nuk do ta arrestojë presidentin Vladimir Putin nëse ai udhëton në Budapest për një samit mbi luftën në Ukrainë, tha sot ministri i Jashtëm hungarez, pavarësisht një urdhërarresti të pazgjidhur nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) kundër udhëheqësit rus.
Moska dhe Uashingtoni po përgatiten për takimin e planifikuar mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump në kryeqytetin hungarez, brenda dy javëve të ardhshme, megjithëse një datë e saktë nuk është caktuar ende.
Të dy udhëheqësit zhvilluan dje një bisedë telefonike rreth një takimi të mundshëm mes tyre.
“Ne e presim presidentin Vladimir Putin me respekt”, tha ministri i Jashtëm Péter Szijjártó në një konferencë për shtypi në Budapest.
Ai tha se qeveria e Hungarisë do t’i garantonte Putinit hyrje dhe dalje të lirë nga vendi.
“Nuk është e nevojshme te koordinohemi me askënd për këtë, sepse ne jemi një vend sovran”, shtoi ai.
Hungaria njoftoi në prill planet për t’u tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), dhe parlamenti i saj miratoi vendimin në maj.
Megjithatë, tërheqja hyn në fuqi vetëm një vit pas njoftimit zyrtar, që do të thotë se Hungaria do të jetë ende e detyruar, ligjërisht të arrestojë Putinin nëse ai hyn në vend.
Edhe pas tërheqjes, Hungaria do të mbetet e detyruar të bashkëpunojë me hetimet e vazhdueshme të GJNP-së të nisura para daljes së saj, megjithëse fuqitë zbatuese të gjykatës janë të kufizuara.
GJNP-ja akuzon Putinin si përgjegjës për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve dhe të miturve nga territoret e pushtuara ukrainase në Rusi. Ajo lëshoi një urdhër arresti për të në mars 2023. //a.i/