E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademia e Pushtetit Vendor, zgjidhen dy bashkëkryetarët

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo zhvilloi sot mbledhjen e parë konstituive të Bordit Drejtues të Akademisë së Pushtetit Vendor, ku morën pjesë të gjithë anëtarët.

Demo tha se njëherësh u zgjodhën edhe dy bashkëkryetarët, Emirjana Sako dhe Aldrin Dalipi.

Ministri Demo u shpreh se Akademia do të trajnojë në 4 vjet më shumë se 35 mijë punonjës të bashkive në vend, me programe të ndryshme, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Sipas Demos, “Akademia do të shërbejë për të patur përgatitjen e duhur në zbatimin e standardeve evropiane në prag të anëtarësimit të vendit në BE dhe për të aftësuar pushtetin lokal në përftimin e fondeve aq të rëndësishme nga projektet e partnerëve tanë evropiane si pjesë e politikave të kohezionit”.

Akademia, e cila do të funksionojë si një organizatë jofitimprurëse, do të financohet përmes një modeli të përbashkët. Qeveria do të mbulojë kostot fillestare të themelimit dhe jo më pak se 50% të kostove operacionale për tre vitet e para. Fondet do të sigurohen nga buxheti i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Pjesa tjetër e kostove do të mbulohet nga vetë bashkitë.

Kjo hapësirë e re shërben si një hap i rëndësishëm në përgatitjen e administratës vendore për sfidat që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›