E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit: 1614 ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë vitit 2024

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Institucionet e pavarura vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.

INSTAT në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, publikoi të dhënat zyrtare të Avokatit të Popullit për vitin 2024, që tregojnë një rritje të ndërgjegjësimit dhe të raportimeve për shkelje të të drejtave, duke reflektuar sfidat me të cilat përballen qytetarët.

Sipas INSTAT, gjatë vitit të kaluar, pranë Avokatit të Popullit janë paraqitur 1.614 ankesa, nga të cilat: 1.005 ankesa nga burra (62,3%) 485 ankesa nga gra (30%) dhe 124 ankesa që përfshijnë shkelje për grupe të ndryshme interesi, nga të cilat përfitojnë të dyja gjinitë (7,7%).

Grupi me numrin më të lartë të ankesave lidhet me të drejtat e fëmijëve, me 444 ankesa, që përbëjnë 27.5% të totalit.

Më pas renditen e drejta e pronës, me 243 ankesa (15.1%) e drejta për një proces të rregullt ligjor, me 178 ankesa (11%).

Këto statistika nxjerrin në pah rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të situatës së të drejtave të njeriut dhe forcimin e institucioneve që mbrojnë liritë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Avokati i Popullit mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për identifikimin e shkeljeve dhe për përmirësimin e praktikave institucionale në funksion të respektimit të të drejtave themelore. e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›