E Martë, 3 Nëntor 2026

Akademia e Shkencave: Rrjet ndërkombëtar dhe rekomandime shkencore për politikëbërjen në fushën e shëndetit dhe mjedisit

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin George Mason (SHBA) dhe Collegium Ramazzini (Itali), organizoi Konferencën e Tretë Ndërkombëtare të Shëndetit Publik dhe Mjedisit, nga data 30 qershor deri në 1 korrik.

Kjo konferencë është e para në vendin tonë, që fokusohet drejtpërdrejt në ndërthurjen e ndikimeve mjedisore dhe sfidave të shëndetit publik, duke shërbyer si një platformë bashkëpunimi ndërdisiplinor dhe ndërkombëtar.

Në konferencë morën pjesë mbi 70 referues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia dhe SHBA dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore hartuese dhe zbatuese të politikave në sektorë të ndryshëm që lidhen me administrimin e ujërave.

Akademiku Genc Sulçebe, drejtues i QKBGJ-së dhe akademiku Ilia Mikerezi, kryetar i Komisionit të biologjisë, drejtuan seancën e hapjes së veprimtarisë.

Veprimtarinë e përshëndeti zëvendëskryetari i ASHSH-së, akademiku Vasil Tole, në emër të Kryesisë. Ai foli për punën që kanë bërë qendrat dhe komisionet e përhershme të ASHSH-së për të mbështetur e zhvilluar një sërë projektesh që trajtojnë ndotjen mjedisore dhe ndikimin e saj në shëndet.

Tole theksoi se ASHSH-ja po luan një rol aktiv në koordinimin e projekteve kombëtare të kërkimit shkencor, në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe agjencitë e kërkimit shkencor e të inovacionit, për të garantuar që shkenca të vendoset realisht në shërbim të shoqërisë.

Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, theksoi se nëpërmjet kësaj veprimtarie krijohen mundësi për të ndarë përvoja, për të ndërtuar ura midis fushave që shpesh funksionojnë paralel, si dhe për të gjetur mënyra të reja për ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e qytetarëve, por edhe të vetë vendimmarrësve që mjedisi mos të trajtohet si temë dytësore, por si pjesë e pandashme e shëndetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Konferencën e përshëndeti edhe Klodiana Marikaj, specialiste në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Ajo foli për strategjitë dhe politikat e menaxhimit të cilësisë së ajrit dhe masat e marra në përputhje me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë zhvillimit të seancave plenare, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me rezultatet kërkimore të standardeve ndërkombëtare dhe të ndajnë përvoja mbi sfidat që paraqet monitorimi dhe menaxhimi i rreziqeve mjedisore për shëndetin publik, lidhur me cilësinë e ajrit, shqyrtimin e teknologjive dhe qasjeve për pastrimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura dhe përmirësimin e infrastrukturës sanitare, cilësinë dhe sigurinë ushqimore etj.

Ndër paraqitjet më të spikatura ishin: “Vlerësimi i rrezikut shëndetësor nga djegia e hapur e mbetjeve në Shqipëri”, nga prof. asoc. Edlira Baraj; “Studimi mbi ndikimin e ndotjes së ajrit në shfaqjen e artritit reumatoid”, nga Genc Sulçebe dhe dr. Arbi Pecani; “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në nivelin e imunitetit në Shqipëri dhe mësimet për të ardhmen”, nga Genc Sulçebe; “Ndikimi i pesticideve në fertilitet dhe shëndetin riprodhues”, nga prof. dr. Melissa Perry.

Konferenca arriti disa objektiva të rëndësishëm: Krijimin e një rrjeti ndërkombëtar bashkëpunimi mes shkencëtarëve të mjedisit e shëndetit publik; Identifikimin e sfidave dhe përparësive kërkimore në rajon në fushën e ndotjes mjedisore dhe shëndetit; Formulimin e rekomandimeve për përfshirjen e të dhënave shkencore në hartimin e politikave publike, si dhe bashkëpunimin institucional për aplikimin e qasjes “One Health” në Ballkanin Perëndimor.

1 nga 5

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›