Akademia e Shkencave, veprimtari përkujtimore në nderim të Ismail Kadaresë

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një veprimtari përkujtimore në nder të shkrimtarit dhe akademikut të shquar Ismail Kadare. Të pranishëm ishin familjarë të Kadaresë, akademikë, miq e njerëz të letrave.
Në fjalën e tij, kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, e cilësoi gjeniun e letrave Kadare, si një kryeakademik për nga vlera dhe jehona e veprës së tij, e mirënjohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht.
“Humbja fizike e Kadaresë është pa dyshim humbja më e madhe letërsisë sonë. Ishte gjithashtu një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë evropiane dhe botërore, e akademizmit shqiptar dhe atij evropian”, u shpreh akad. Gjinushi në këtë veprimtari. Sipas tij, Kadareja do të lexohet e do të vlerësohet në vazhdimësi pasi mesazhet e veprës së tij, stili dhe forca e fjalës, e bëjnë veprën e tij aktuale, tërheqëse dhe emancipuese për të gjitha kohërat.
Akad. Gjinushi përmendi dhe vlerat e Kadaresë në lëmin e gjuhësisë duke thënë se, kontributi i tij si lëvrues i gjuhës është po aq i çmuar sa ai i Çabejt. “Akademia e Shkencave ka pasur privilegjin ta kishte anëtar të sajin për 35 vjet”, u shpreh Gjinushi.
Edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kishte dërguar një mesazh të veçantë i cili u përcoll nga akademik Vaso Tole. Nëpërmjet një letre të dërguar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, Ismail Kadareja vlerësohet si simbol dhe personifikim i ndërgjegjes kolektive. Zëri i Kadaresë, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. Në mbështetje të Kosovës, ai ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar.
Për veprën dhe personalitetin e Ismail Kadaresë foli edhe Këshilltari i Parë në Ambasadën e Francës në Shqipëri, Samuel Richard. Ai u shpreh për marrëdhëniet e shkrimtarit me Francën, vlerësimet dhe krijimtarinë e tij si një ndër zërat më të veçantë në letërsinë europiane.
Të tjerë personalitete të cilët ngritën lart në fjalën e tyre, figurën e Kadaresë, ishin: botuesi i tij, Bujar Hudhri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, akad. Shaban Sinani, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali etj.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali, e cilësoi Kadarenë si simbol të dinjitetit dhe mendimit vetjak, që ndërtoi një univers të thellë letrar dhe një botë mitike, ku shqiptaria gjeti hapësirë të veçantë. Ajo u shpreh se Kadareja ishte një kolos i madh, i cili mbijetoi edhe nga kritikët më të ashpër dhe u shndërrua në “pasaportën e Shqipërisë” në botë. Trashëgimia e tij i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë njerëzimit. Ky përvjetor është një moment nderimi për jetën dhe veprën e tij të paharrueshme.
Piro Misha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, foli për vendin që zë vepra e shkrimtarit në historinë e letërsisë, përfaqësimin e saj në letërsinë ballkanike e atë europiane. Ai e vlerësoi Kadarenë si një fenomen letrar për qasjet disidente dhe rolin e tij në emancipimin e letërsisë shqipe e më gjerë.
Akademiku Shaban Sinani bëri një interpretim të veprës “Kur sunduesit grinden”, të cilën e cilësoi si një vepër që është krijuar për fatin e shkrimtarit me mision, i cili duhet t’i thotë vetes: “Mbaje kryqin! Ndryshe mos hyr në këtë urdhër të lartë”. Ai theksoi se “Kadareja krijoi një Shqipëri paralele, fisnike, të denjë për familjen europiane që i kishte takuar që nga epoka e Rilindjes”.
Në vijim, akademiku Gëzim Hoxha, kryeredaktor i revistës “Studia Albanica” bëri prezantimin e numrit special 2024/2, kushtuar Ismail Kadaresë. Ai tha se redaksia ka synuar të shpalosë nderimin solemn për këtë personalitet të madh, që për dekada të tëra frymëzoi një komb të tërë me fjalën, mitin dhe mendimin e tij.
Hoxha shprehu mirënjohjen e thellë për kontributet e vyera dhe për bashkëpunimin akademik, që e bëri të mundur këtë numër. Ai theksoi se ky është një nder i vogël për një figurë të madhe, por është një nder që do të mbetet, si gur kujtese dhe frymëzimi, në faqet e shkencës sonë shqiptare.
Veprimtaria vijoi me regjistrimet audio të poezive të recituara nga vetë Ismail Kadare.
Në përfundim të aktivitetit, e mori fjalën edhe bashkëshortja e Ismailit, shkrimtarja Helena Kadare.
“Natyrisht kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë unë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve dhe vlerësimit që i bëjnë atij dhe veprës së tij letrare. Ismail Kadare është një shkrimtar shqiptar që e ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare, që do të thotë se ai përshkroi në veprën e tij fatin e shqiptarit dhe Shqipërisë në tërë rrjedhën e historisë së saj”, tha Helena Kadare.
1 nga 6/e.i//j.p//r.e/