Nis ndërtimi i bajpasit jugor të Tiranës, rrugë me katër korsi

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Pas përfundimit të Unazës së Madhe vitin e kaluar, Tirana do të ketë edhe një bajpas strategjik jugor, projekt i cili po merr formë. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur tenderin për ndërtimin e kësaj rruge që pritet të lehtësojë trafikun në hyrje-dalje të kryeqytetit.
Bajpasi jugor do të ketë një gjatësi mbi 21 kilometra dhe do të lidhë zonën e Kasharit me atë të Mulletit, duke kaluar përgjatë luginës së Erzenit. Ky projekt do të shmangë qendrën e Tiranës, duke ofruar një alternativë më të shpejtë dhe më të rehatshme për qarkullimin e mjeteve.
“Do të jetë një autostradë interurbane e tipit A me katër korsi, nga një korsi emergjence në secilën anë dhe dy bankina të asfaltuara. Gjithsej pjesa asfaltike do të ketë 22,4 metra gjerësi, me një shpejtësi lëvizjeje prej 110 km/h. Fondi total për ndërtimin e këtij projekti është 209 milionë euro, nga të cilat 81 milionë euro do të financohen nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër nga BERZH”, tha Niko Mihali, përgjegjësi i Sektorit të Hartimit të Projekteve pranë ARRSH-së, në një prononcim për mediet.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, projekti është konceptuar për të minimizuar ndikimin në komunitetet lokale dhe zonat e mbrojtura. Ai synon të përfundojë brenda 24 muajve nga nënshkrimi i kontratës.
Ky bajpas jo vetëm do të shërbejë si një rrugëdalje nga trafiku i rënduar i qytetit, por edhe si një korridor që afron Shqipërinë me standardet europiane të infrastrukturës.
/j.p//r.e/