Aksident me vdekje në Bathore, makina përplas 65-vjeçaren, shoferi përfundon në pranga

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Bathores në Tiranë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 16:30, kur një automjet ka përplasur një këmbësore në rrugë. Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Tiranës, viktima është shtetasja Sh. Sh., rreth 65 vjeçe.
E moshuara u transportua me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pak kohë pas mbërritjes.
Në timonin e mjetit ndodhej shtetasi E. B., rreth 40 vjeç. Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë kanë bërë shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike.
/rtsh.al/