E Hënë, 2 Nëntor 2026

ARRSH apel shoferëve në Qafë Thore: Qarkulloni tani, natën rritet rreziku i ortekëve

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar pasditen e sotme se aksi rrugor në Qafë Thore është aktualisht i hapur për qarkullim, por ka lëshuar një paralajmërim të fortë për drejtuesit e mjeteve.

Përmes një njoftimi për shtyp, ARRSH bën me dije se reshjet e borës po vijojnë dhe situata mbetet delikate për shkak të rrezikut të mundshëm nga ortekët. Për këtë arsye, autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve që kanë planifikuar të kalojnë në këtë aks, ta bëjnë këtë sa më shpejt dhe të shmangin orët e vona.

“Mjetet që kanë nevojë të lëvizin, këshillohen të qarkullojnë tani, me qëllim shmangien e lëvizjeve gjatë orëve të vona të natës. Reshjet e borës po vazhdojnë dhe, nëse shtohen gjatë natës, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, mjetet borëpastruese dhe punëtorët e firmës kontraktore ndodhen në terren duke punuar për pastrimin e rrugës dhe janë në gatishmëri të plotë për çdo përkeqësim të situatës meteorologjike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›