Aksident në aksin Lushnjë–Berat, përmbyset makina, plagosen 6 persona

Një aksident rrugor është regjistruar këtë të mërkurë në aksin nacional Lushnjë–Berat, në afërsi të fshatit Fiershegan, ku 6 persona janë plagosur pasi automjet tip “Volkswagen Golf”, me të cilin po udhëtonin është përmbysur pas një manovre për të shmangur një përplasje.
Sipas dëshmisë së drejtuesit të mjetit, ai po udhëtonte në drejtim të Beratit kur korsia e tij e lëvizjes u bllokua nga një situatë e papritur. Në përpjekje për të shmangur përplasjen me një mjet tjetër, ai devijoi automjetin në anën e djathtë të rrugës, ku u përplas fillimisht me një automjet të parkuar dhe më pas humbi kontrollin, duke u përmbysur.
Si pasojë e aksidentit, të gjashtë personat që ndodheshin në automjet pësuan lëndime të ndryshme. Mes të plagosurve janë edhe tre fëmijë, të cilët, së bashku me të rriturit, u transportuan me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
/rtsh.al/