Spanja përjeton qershorin më të nxehtë, u regjistruan mbi 1 mijë humbje jete për shkak të temperaturave ekstreme

Spanja regjistroi mbi 1 mijë humbje jete gjatë muajit qershor të lidhura me të nxehtin ekstrem, pasi Agjencia kombëtare Meteorologjike bëri me dije se gjashtë muajt e parë të vitit 2026 ishin më të nxehtit që kur filluan të regjistrohen të dhënat.
Vendi Iberik regjistroi gjithashtu qershorin e dytë më të nxehtë që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave duke e klasifikuar muajin që sapo lamë pas si jashtëzakonisht të ngrohtë, një kategori e rezervuar për situata jashtëzakonisht anormale.
Agjencia Meteorologjike i cilësoi valët e të nxehtit si të jashtëzakonshme për shkak të intensitetit, kohëzgjatjes dhe shtrirjes gjeografike, veçanërisht në gjysmën e kontinentit, ku u thyen rekorde të shumta temperaturash.
Edhe në Francë, Agjencia e Shëndetit Publik bëri me dije se janë regjistruar të paktën 1 mijë humbje jete shtesë nga e mërkura e javës së kaluar deri të dielën, periudhë kur vendi u përfshi nga i nxehti ekstrem. Ndërkohë Greqia ka hyrë zyrtarisht në stinën e zjarreve për shkak të temperaturave të larta dhe shteti helen raportoi viktimat e para si pasojë e tyre.
Dy persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje, pasi flakët përfshinë shtëpinë e tyre në fshatin Liti rreth 25 km larg Selanikut.
Ndërkohë shkencëtarët e klimës raportuan se oqeanet përjetuan qershorin e tyre më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë dhe sipas tyre mund të shënohen nivele të reja rekord në muajt në vijim, pasi i nxehti ekstrem dhe ndryshimet klimatike vijojnë të rrisin temperaturat.
“Temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit në qershor ishin 20.98 gradë Celsius, duke thyer rekordet e mëparshme të viteve 2023 dhe 2024”- bëri me dije Shërbimi Detar Kopernikus i Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/