Aksident në aksin Orikum-Vlorë, automjeti godet tufën e bagëtive, bariu dërgohet me urgjencë në spital

Një aksident i rëndë dhe me pasoja të pazakonta është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin e ByPass-it, në drejtimin Orikum–Vlorë. Një automjet ka përplasur një tufë me bagëti të imta, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke lënduar rëndë bariun që i shoqëronte.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, një automjet tip “Volkswagen” me targa AA118NB, i drejtuar nga shtetasi V. G., ka goditur tufën e dhive në momentin që ato po kalonin karrexhatën.
Përplasja ka qenë e fortë dhe e befasishme. Bariu i tufës, i identifikuar si shtetasi A. D., 35 vjeç, i cili ndodhej në pjesën e pasme të kopesë, nuk ka mundur të shmangë goditjen.
Në të dhënat e para të zbardhura thuhet se si pasojë e përplasjes kanë ngordhur rreth 10 bagëti, si dhe është dëmtuar çobani. Nga forca e goditjes, ai ka pësuar traumë dhe është transportuar menjëherë me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal Vlorë, ku ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas mbërritjes së Policisë Rrugore në vendin e ngjarjes, drejtuesi i automjetit i është nënshtruar testit të alkoolit. Rezultati i aparatit matës ka qenë 0.00 mg/l, duke përjashtuar përdorimin e pijeve alkoolike si faktor në këtë aksident.
Grupi hetimor ka nisur punën në terren për matjet përkatëse dhe po heton për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes. Kalimi në këtë segment është menaxhuar nga policia për të shmangur bllokimin e trafikut.
/rtsh.al/