E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi në “Trialog”: Pjekuria politike në Kosovë, model për rajonin

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, moderuar nga Alba Alishani, vlerësoi Kosovën si një shembull të spikatur të pjekurisë demokratike në rajon.

Sipas Bumçit, Kosova ka arritur të ndërtojë institucione funksionale, zgjedhje të lira dhe një media të pavarur, duke krijuar një pluralizëm politik që imponon bashkëpunim mes aktorëve. Ai theksoi se ky zhvillim e bën Tiranën dhe Beogradin të duken ende të pazhvilluara në aspektin demokratik.

“Kosova ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm, të një pjekurie politike demokratike në këto vite, që e bën Tiranën dhe Beogradin të duken si vende primitive, regjimesh siç jemi. Me zgjedhje të lira që janë meritë e të gjithë qeverive sepse ka qenë opozitë zoti Kurti kur fitoi zgjedhjet. Është meritë e një klase politike që ka arritur këtë pjekuri, me ekuilibër institucional, me Gjykatë Kushtetuese që funksionon, me media të pavarura që janë kritike ndaj qeverisë. Me një pjekuri zgjedhore që ka krijuar një pluralitet. Në Kosovë, për shkak të shumë arsyeve kemi një skemë politike që ka disa aktorë. Janë 4 parti shqiptare dhe 20 vendet e dedikuara për minoritet krijojnë një skemë politike pluralë që të imponon edhe marrëveshjet”, u shpreh Bumçi.

Duke u ndalur te roli i Albin Kurti, Bumçi u shpreh se qasja e tij politike ka qenë e qëndrueshme si në opozitë ashtu edhe në qeveri, duke ndjekur aksione të qarta pa krijuar aleanca të gjera, përveç një bashkëpunimi të shkurtër me LDK-në.

“Ndryshimi vjen pjesërisht edhe nga qasja e zotit Kurti i cili në opozitë por edhe në qeveri ka vijuar një qasje me të drejtë brenda lojës legjitime politike ku vendos një aksion dhe i qëndron fortë atij aksioni pa ndërtuar ura përveç se një kohe të shkurtër me LDK, një bashkëqeverisje shumë të shkurtër . Momentin që Kosova kalon një vit e gjysmë pa qeverisje të mirëfilltë për çdo vend ky do të ishte një moment për të ndaluar”, tha ai.

Ai nënvizoi se periudha e gjatë pa një qeverisje të qëndrueshme në Kosovë përbën një sfidë serioze, duke shtuar se përgjegjësia ndaj votuesve kërkon përpjekje maksimale për të siguruar stabilitet institucional.

“Janë dy momente, a prodhojnë zgjedhjet një rezultat që është i pranuar dhe përfaqëson vullnetin e qytetarëve në Kosovë, në Shqipëri dhe Serbi jo. Kërkon që të kesh maturi për konsensus, po dhe Kosova e treguar me qeveri koalicioni. Kur ke një vit e gjysmë me këtë situate ke një përgjegjësi të shtuar që vjen nga votat që të dhanë qytetarët dhe kur ke këtë përgjegjësi duhet të bësh gjithçka për ta bërë të mundur qeverisjen”, theksoi Bumçi.                          

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›