Aksident në aksin Shkodër – Lezhë, humb jetën 37-vjeçari

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Një 37-vjeçar ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti rrugor.
Në një njoftim për mediet, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër bën me dije se rreth orës 14:50, në aksin rrugor Shkodër – Lezhë, ka ndodhur një aksident rrugor, ku janë përfshirë tre automjete.
Sipas Policisë, shtetasi T. K., 42 vjeç, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues A. S., 63 vjeç, dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gj. B., 37 vjeç.
“Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Gj. B., ndërsa janë dëmtuar bashkëshortja e tij, shtetasja J. B., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur, pasagjerë në të njëjtin automjet. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.
/e.i//a.f//r.e/