Aksident tragjik në Lushnjë, humb jetën 43-vjeçari pasi makina u përmbys

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Lushnjë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:30 në rrethrrotullimin e njohur si “Plasmasi”, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me ishullin e trafikut, duke përfunduar i përmbysur.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, shtetasi Ernis Xhumari, 43 vjeç, banues në Karbunarën e Vogël. Sipas informacioneve paraprake, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të marra.
Pamjet nga vendi i aksidentit tregojnë se automjeti është shkatërruar pothuajse tërësisht nga përplasja e fortë.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale dhe për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se një nga shkaqet kryesore të aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën po lëvizte automjeti, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes