E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidenti në Durrës, Tabaku dhe Balla: Tragjedi që na lëndon të gjithëve, autori terrorist

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reaguan sot lidhur me aksidentin e rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër u plagos u rëndë.

Në një postim në rrjetet sociale Balla tha se “ngjarja tragjike në Durrës nuk është aksident rrugor. Autori nuk është një shofer në një timon, por një terrorist”.

Ndërsa deputetja Tabaku u shpreh se “tragjedia në Durrës, me humbjen e dy jetëve të dy fëmijëve të pafajshëm, ka tronditur të gjithë. Një tragjedi që na lëndon të gjithëve. Edhe më mizor është transmetimi pa filtër i pamjeve të aksidentit që u mori jetën. Dhimbja nuk mund të kthehet në spektakël”.

Tabaku i bëri thirrje Autoritetit të Mediave Audiovizive të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar transmetimin e pamjeve të tilla dhe për të garantuar respektimin e etikës në informim.

“Sepse informimi është detyrim por dinjiteti njerëzor është kufiri që nuk duhet kaluar”, tha Tabaku.

Gjatë ditës së sotme rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›