E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin, gjykata e Elbasanit lë në burg regjisorin Petri Bozo

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për regjisorin Petri Bozo, i cili akuzohet për përfshirje në një aksident të rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një fëmije 7-vjeçar.

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor “Elbasan–Librazhd”, në fshatin Mengël, pranë shkollës 9-vjeçare Sulejman Rrançi. Sipas të dhënave paraprake, i mituri ndodhej me nënën e tij në momentin e ngjarjes, pasi ajo kishte shoqëruar vajzën në shkollë, kur është përplasur nga automjeti.

Përplasja rezultoi fatale për 7-vjeçarin, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Në deklarimin e parë dhënë para organeve të rendit, Bozo mësohet të ketë thënë se po lëvizte me shpejtësi të ulët në momentin e aksidentit. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga hetimet në vijim.

Autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit, ndërsa çështja ka kaluar tashmë në duart e drejtësisë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›