Zona të tëra pa furnizim me ujë, UKT hesht totalisht

Prej më shumë se 48 orësh, disa zona të kryeqytetit kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm, duke shkaktuar revoltë dhe shqetësim te qytetarët, ndërsa temperaturat në Tiranë janë rritur ndjeshëm ditët e fundit. Banorët raportojnë se mungesa e ujit ka prekur një pjesë të zonës së Bllokut, Don Boskon, zonën e Spitaleve dhe lagje të tjera, ku familjet po përballen me vështirësi serioze në përditshmëri.
Qytetarët shprehen se prej dy ditësh rubinetët janë tharë totalisht, ndërsa askush nuk jep një përgjigje të qartë se kur do të rikthehet furnizimi normal. Situata është bërë edhe më alarmante për familjet me fëmijë, të moshuar dhe bizneset që varen nga furnizimi me ujë, të cilët po përballen me një kaos të vërtetë në kulmin e vapës.
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është mungesa totale e transparencës nga institucionet përgjegjëse. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë dhe drejtori i institucionit, Flauers Shoshi, mbi arsyet konkrete të ndërprerjes së ujit, kohëzgjatjen e problemit apo fazën e punimeve që pretendohet se po kryhen.
Fax News është përpjekur të kontaktojë me institucionin e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë dhe drejtorin Flauers Shoshi për të marrë një reagim zyrtar mbi këtë situatë kaotike, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Heshtje totale nga një institucion që duhet t’u japë llogari qytetarëve për një shërbim jetik si furnizimi me ujë.
Banorët shprehen të revoltuar jo vetëm për mungesën e ujit, por edhe për mënyrën sesi po trajtohen nga institucionet, pa informacion dhe pa asnjë paralajmërim. Në një kohë kur temperaturat po arrijnë nivele të larta dhe nevoja për ujë është jetike, lënia e qytetarëve për ditë të tëra pa furnizim përbën një papërgjegjshmëri të rëndë institucionale.
Ndërsa Tirana vijon të përballet me këtë situatë problematike, qytetarët kërkojnë reagim urgjent, transparencë dhe rikthim sa më të shpejtë të furnizimit me ujë, pasi mungesa e një shërbimi bazik eshte e papranueshme.