Aksion “blic” në rrugët e Tiranës, 2000 gjoba në 24 orë, në shënjestër parkimet e gabuara dhe manovrimet që krijojnë kaos në qarkullim

Komisariati i Policisë Rrugore në Tiranë ka intensifikuar kontrollet në pikat kyçe të kryeqytetit gjatë 24 orëve të fundit, duke u fokusuar te disiplinimi i trafikut dhe rritja e parametrave to sigurisë.
Si rezultat i këtij monitorimi intensiv, Policia Rrugore njofton se “janë vendosur rreth 2000 masa administrative brenda një dite të vetme”.
Në fokus të ndëshkimeve kanë qenë tre kategori kryesore shkeljesh, të cilat konsiderohen si shkaktarët kryesorë të trafikut të rënduar në Tiranë.
Pjesën dërrmuese të gjobave e zënë parkimet e gabuara.
Sipas të dhënave zyrtare, 1261 masa administrative janë vendosur për drejtuesit që kanë parkuar mjetet në mënyrë të parregullt, duke u kthyer në pengesë direkte për lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera.
Një tjetër fenomen që është goditur është mosrespektimi i radhës. Policia ka ndëshkuar 105 drejtues mjetesh, të cilët përmes manovrave të gabuara për të fituar kohë, kanë krijuar situata kaotike dhe rrezik për aksidente.
“Gjithashtu, vëmendje i është kushtuar edhe sigurisë së përdoruesve të motomjeteve, ku janë vendosur 91 gjoba për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse, një shkelje që rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesve.”, njofton policia.
Krahas masave ndëshkimore, Policia Rrugore u ka bërë apel qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit.
“Shkelja e rregullave jo vetëm krijon kaos në rrugë, por është shkaku kryesor i ngjarjeve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Blutë e Tiranës paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë çdo ditë në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe lehtësimin e trafikut.
/rtsh.al/