Dorëzohet në mungesë Nobeli për Paqe në Oslo – Liderja e opozitës së Venezuelës nuk arriti të marrë pjesë në ceremoni

Liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, e cila u shpall fituese e çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025, nuk mori pjesë personalisht në ceremoninë e dorëzimit të medaljes. Në një bisedë me kryetarin e Komitetit të Nobelit, të publikuar pak para ceremonisë, Machado tha se ishte shumë e trishtuar që nuk do të arrinte në kohë, por ishte duke shkuar për në Oslo, duke njoftuar se po dilte nga vendi ku qëndron e fshehur që nga muaji janar. Gjatë fjalimit të pranimit të medaljes së Nobelit, Ana Corina Sosa Machado kritikoi ashpër Maduron për krimet kundër popullit venezuelian.
“Ajo që ne venezuelianët mund t’i ofrojmë botës është mësimi i farkëtuar përmes këtij udhëtimi të gjatë dhe të vështirë, që për të pasur demokraci, duhet të jemi të gatshëm të luftojmë për liri.”
Ajo denoncoi gjithashtu rrëmbimet dhe torturat nën sundimin e Maduros.
“Këto janë krime kundër njerëzimit, të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara. Terrorizëm shtetëror, i vendosur për të groposur vullnetin e popullit”, u shpreh Machado.
Pavarësisht mungesës së saj në ceremoni, zyrtarët e Nobelit thanë se ajo ishte e sigurt dhe do të mbërrinte në Oslo gjatë së enjtes, por duke bërë këtë udhëtim 58-vjeçarja rrezikon të pëballet me pasoja serioze pas kthimit në vendin e saj. Prokuroria publike në Venezuelë kërcënoi se mund ta konsideronte Machadon si të arratisur nëse largohej nga vendi, por e bija siguroi të pranishmit në Oslo se nëna e saj do të kthehej.
“Ajo dëshiron të jetojë në një Venezuelë të lirë dhe nuk do të heqë dorë kurrë nga ky qëllim. Kjo është arsyeja pse ne të gjithë e dimë, se ajo do të kthehet në Venezuelë shumë shpejt”, tha ajo.
Maria Corina Machado fitoi Çmimin Nobel për Paqen për angazhimin e saj për të drejtat demokratike të popullit të Venezuelës dhe sfidimin e pushtetit të Presidentit Nicolas Maduro.
/rtsh.al/