Aksion i madh në Lumin e Vlorës, arrestohen anëtarët e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë

Një operacion i gjerë policor i koduar “Grupi” ka çuar në goditjen e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që vepronte në Vlorë dhe Fier. Në pranga kanë përfunduar gjashtë persona, mes tyre një i dënuar nga drejtësia italiane për trafik droge dhe organizatë kriminale, si dhe autori i dyshuar i plagosjes së ndodhur dy ditë më parë në Vlorë.
Aksioni u zhvillua gjatë natës në fshatin Vranisht, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës dhe me pjesëmarrjen e forcave të shumta policore, ndërsa në terren ka qenë edhe drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Edvin Ndreu.
Sipas Policisë, gjatë operacionit u arrestuan:
- Florian Shala;
- Neritan Dalipaj;
- Aleksandër Dula;
- Miço Beqaraj;
- Turi Aligjoni;
- Dritan Çelaj.
Në mesin e të arrestuarve spikat Aleksandër Dula, i cili rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Leçes me 6 vjet e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës.
Policia njofton se gjatë operacionit janë sekuestruar katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1850 euro cash dhe tre automjete, dy prej të cilave me targa të huaja. Njëri prej mjeteve të sekuestruara ishte i blinduar.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se automjeti tip “BMW X5” i sekuestruar është përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes me armë zjarri të 26-vjeçarit F. L..
Sipas autoriteteve, grupi kriminal dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale, përfshirë krime kundër personit dhe veprimtari në fushën e narkotikëve.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të grupit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Në ditët në vijim priten detaje të reja nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit.