Aksion pastrimi nga Qafë-Thana deri në Pogradec, Rama: Përgatitje për sezonin turistik

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Pogradeci, një nga qytetet më të preferuara nga vizitorët vendas dhe të huaj, po përgatitet për sezonin e ri turistik.
Gjatë ditës së sotme bashkia e Pogradecit ka nisur një aksion pastrimi në të gjithë territorin, duke u fokusuar kryesisht në akset nacionale dhe përgjatë bregut të liqenit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga ky aksion i gjerë pastrimi.
“Në këtë nismë u angazhuan ndërmarrjet e bashkisë, kompani private dhe nxënës të shkollave. Aksioni nisi nga Qafë-Thana, si pika hyrëse për turistët e huaj, vijoi përgjatë aksit Qafë-Thanë–Pogradec dhe në bregun e liqenit”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se aksionet e pastrimit do të vijojnë edhe në një fazë të dytë për përgatitjen e plotë të sezonit turistik.
Sipas bashkisë së Pogradecit, ndotja më e madhe është konstatuar përgjatë aksit Qafë-Thanë–Pogradec, rreth 22 km i gjatë, ku mbetjet shpesh hidhen nga drejtues automjetesh pas konsumit direkt nga xhamat e makinave.
Bashkia e Pogradecit iu bëri apel drejtuesve të mjeteve, vizitorëve dhe banorëve të mbajnë të pastër qytetin.
Pogradeci prej vitesh është një destinacion shumë i kërkuar falë paketës së plotë turistike, që nga liqeni i magjishëm, tek aktivitetet malore, bashkuar me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë.
/k.s/r.e/j.p/