E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuza për shkelje të armëpushimit, Netanyahu urdhëron sulme në Gaza. Hamasi shtyn dorëzimin e pengjeve

Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi të martën ushtrinë izraelite të kryejë sulme “të menjëhershme dhe të fuqishme” në Gaza, pasi akuzoi Hamasin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

“Në përfundim të konsultimeve për sigurinë, Kryeministri Netanyahu udhëzoi eshalonin ushtarak të kryente sulme të menjëhershme dhe të fuqishme në Rripin e Gazës”, tha zyra e Kryeministrit në një deklaratë të shkurtër.

SHBA-të u njoftuan për vendimin për të kryer sulme në Gaza, tha një zyrtar amerikan për CNN.

Një zyrtar ushtarak tha se Hamasi kishte sulmuar trupat izraelite në lindje të të ashtuquajturës vijë të verdhë, e cila ndan Gazën e pushtuar nga Izraeli nga pjesa tjetër e territorit. Zyra e Netanyahut tha se Hamasi ishte në “shkelje të qartë” të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, pasi i ktheu Izraelit mbetjet mortore që nuk i përkisnin asnjërit prej 13 pengjeve që ende rezultojnë të pagjetur në enklavë.

Pasi Netanyahu tha se Izraeli do të kryente sulme të reja në Gaza, Hamasi njoftoi se do të shtynte dorëzimin e trupit të pajetë të një pengu, i cili u gjet në Gazën jugore të martën për shkak të “shkeljeve” të Izraelit.

Grupi militant paralajmëroi gjithashtu se çdo përshkallëzim izraelit do të “pengonte operacionet e kërkimit dhe gërmimit dhe rikuperimin e trupave të pengjeve të ndjera izraelite”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›