E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzohen për tjetërsimin e pronave në Lezhë-Lëshohen 9 urdhër-arreste, ndalohen disa persona mes tyre zyrtarë publikë dhe punonjës policie

Me urdhër të prokurorisë dhe urdhër të gjykatës janë lëshuar 10 arreste mes të cilëve edhe zyrtarë publikë dhe punonjës policie pasi akuzohen për tjetërsimin e pronave në zonën e Lezhës.

Ashtu siç raporton edhe korrespondenti i RTSH-së për Lezhën, Elvis Hila bëhet e ditur se në aksionin e policisë janë lëshuar 9 arreste ku përfshihen zyrtarë që ushtrojnë funksione publike.

Gjithashtu, Prokuroria e Lezhës bën të ditur se në kuadër të një hetimi disa mujor, lidhur me procedimin “penal nr. 135/2025, që ka për objekt një numër ndërtimesh pa leje të kryera në një zonë të rëndësisë kombëtare (e përcaktuar si e tillë me vendimin nr. 01, datë 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit), në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka finalizuar fazën e identifikimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale përkatëse“.

Ndërkaq, janë dhënë masat e sigurisë ndaj të ndaluarve, të cilat nisin që nga arresti me burg i Pjetër Tuçit, zyrtar publik i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, për të vijuar më pas me zyrtarët e tjerë, përfshirë edhe punonjësit të policisë ndaj të cilëve është vendosur masa e arrestit në shtëpi dhe ndalimi i daljes jashtë vendit.

Masat e sigurisë të dhënë ndaj zyrtarëve publikë dhe punonjësit të policisë:

Pjetër Tuçi/ATP-“Arrest në burg”

Gentian Malotai/Ish-drejtor i Kadastrës, “arrest në shtëpi”

Artur Shabaku/Ish-shef i legalizimeve “arrest në shtëpi”

Artmir Maxhuni-Zyrtar i Kadastrës “arrest në shtëpi”

Luiza Bala-“Arrest në shtëpi”

Hekuran Xhina-“Arrest në shtëpi”

Flor Gjini/Ish-drejtor i IKMT-Ndalimi i daljes jashtë shtetit

Kol Malai-Ish-drejtor i IKMT-“Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

Martin Ndoka/Polic zone në Shëngjjn-“Pezullimi i ushtrimit të detyrës publike” dhe
“ndalimi i daljes jashtë shtetit”

Njoftimi i prokurorisë së Lezhë:

Prokuroria e Lezhës sekuestron katër objekte ndërtimi të ndërtuara pa leje dhe legalizuara, tek “Rana e Hedhun”, Shëngjin, masa sigurie për 9 persona përfshirë ish-zyrtarë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, sekuestroi  mbi katër objekte ndërtimi, të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë si dhe lëshoi masa sigurimi ndaj nëntë personave për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal si dhe “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal.

Në kuadër të një hetimi disa mujor, lidhur me procedimin penal nr. 135/2025, që ka për objekt një numër ndërtimesh pa leje të kryera në një zonë të rëndësisë kombëtare (e përcaktuar si e tillë me vendimin nr. 01, datë 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit), në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka finalizuar fazën e identifikimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale përkatëse.

Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave të dyshuar, si më poshtë:

Shtetasi G.M., ish-drejtor vendor i ASHK Lezhë, masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi A.Sh., ish-përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë, masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi A.M., përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi P.T., masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal, kryer më shumë se një herë, dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal;

Shtetasi L.B., inxhinier konstruksioni, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal;

Shtetasi H.Xh., inxhinier ndërtimi, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal;

Shtetasi F.Gj., ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Shtetasi K.M. ish Drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Shtetasi M.N., Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Shëngjin, Komisariati Lezhë, masa e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre publike” dhe njëkohësisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është pranuar kërkesa e Prokurorisë me ndryshimet vetëm për shtetasin G.M, A.SH dhe A.M për të cilët ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Në kuadër të hetimeve është pranuar nga Gjykata kërkesa për vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi katër objekte ndërtimi, të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, Shëngjin, Lezhë.

Hetimet për këtë çështje vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme dhe identifikimin e çdo personi tjetër që mund të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›