Akuzohet nga GJKKO se pastroi paratë e një grupi kriminal, arrestohet në Dubai 36-vjeçari

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Një 36-vjeçar i akuzuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pastrim parash të një grupi kriminal në Elbasan nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, është arrestuar në Dubai.
Policia njoftoi se “si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u kap në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi A. S. alias A. S., 36 vjeç, i lindur në Elbasan”.
Sipas Policisë, “Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim”.
“Ky shtetas akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç. (vëllezër), të përfituara nga veprimtari kriminale”, njoftoi Policia.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Abu-Dabi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri.
/a.f/r.e/