E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuzohet se vrau 65-vjeçarin në Itali, shqiptari arrestohet pas një viti (EMRI)

Një krim i rëndë i ndodhur më 5 mars 2024 në Jesolo, Itali, është zbardhur nga policia pas një viti.

Roberto Basso, 65 vjeç, një shitës duhani, u vra më 5 mars 2024 në shtëpinë e tij, ku jetonte i vetëm.

Policia ka arrestuar si autor të dyshuar, 36-vjeçarin shqiptar Leonard Shehu, i cili akuzohet për vrasje.

Shehu, me profesion kuzhinier, jeton prej vitesh në Jesolo me familjen e tij.

Ai u ndalua nga Karabinierët e Venecias më 24 mars 2025, pas 11 muajsh hetimesh.

Në shtëpinë e viktimës, në rrugën Via Antiche Mura, nuk u gjetën shenja thyerje.

Basso, ka shumë mundësi të ketë njohur autorin, dhe mund të ketë lejuar që ai të hynte në shtëpi.

Një vjedhje që degradoi në vrasje

Motivi i krimit, sipas hetimeve, dyshohet të ketë qenë një vjedhje në shtëpi që ka degraduar në një sulm të dhunshëm.

Duket se Leonard Shehu hyri në shtëpinë e viktimës për të vjedhur paratë nga shitja e cigareve, por, pasi u kap, ai reagoi duke goditur Roberto Basson në kokë me një objekt të fortë.

Kundër tij flasin pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë praninë e tij në zonë, si dhe disa gjurmë ADN të gjetura në vendin e krimit.

Për më tepër, Leonard Shehu është përgjuar duke kërkuar nga gruaja e tij konfirmimin e një alibie të rremë për natën e krimit.

Në seancën e konfirmimit, prokurori Giovanni Zorzi i ka komunikuar Shehut akuzën e vrasjes me dashje. Gjykatësi ka urdhëruar që ai të mbahet në burg./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›