Akuzohet se vrau policin Novruz Cenalia, vetëdorëzohet në polici Azgan Mërnica

Azgan Mërnica, autori i dyshuar i vrasjes së policit Novruz Cenalia, është vetëdorëzuar në policinë e Fierit. Vetëdorëzimi i tij në polici vjen pas 48 orësh që ai ishte shpallur në kërkim.
Mërnica dyshohet se qëlloi për vdekje 28-vjeçarin Cenalia më 13 maj, ngjarje e ndodhur në fshatin Baltëz të Fierit, dhe më pas u largua nga vendngjarja. Një operacion i gjerë u shtri më pas në të gjithë fshatrat pranë Baltëzës, në hyrje-daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera fqinje, me qëllim kapjen e autorit. Policia vendosi edhe 30 mijë euro shpërblim për çdo person që ofronte informacione për Mërnicën. Megjithatë, arratia e Mërnicës mori fundi mbrëmjen e kësaj të mërkure, pasi u vetëdorëzua.
Novruz Cenalia u qëllua nga Azgan Mërnica teksa mbante të veshur uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte turnin. Fillimisht u tha se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, por më pas kjo pistë u hodh poshtë duke thënë se ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti të çastit.
/rtsh.al/