E Premte, 6 Nëntor 2026

Alarm për bombë në dy fluturime në Europë! Një avion ulet në Lisbonë, tjetri devijohet në Venecia, nisin kontrollet pas kërcënimeve

Dy alarme të reja për bomba në avionë janë regjistruar këtë të premte në Europë. Një avion i Ryanair, që udhëtonte nga Roma drejt Lisbonës, u ul në aeroportin e kryeqytetit portugez, ndërsa një fluturim i Wizz Air nga Praga drejt Romës u devijua në Venecia.

Avioni i Ryanair u ul rreth orës 08:00 me orën lokale (09:00 me orën italiane) në aeroportin Humberto Delgado të Lisbonës, ku autoritetet nisën kontrollet për të verifikuar nëse kërcënimi ishte i vërtetë.

Sipas informacioneve të para, alarmi iu komunikua Policisë së Sigurisë Publike portugeze përmes një telefonate të bërë nga një agjent, identiteti i të cilit u verifikua më pas nga Policia Gjyqësore.

Ende nuk janë bërë të ditura rezultatet e kontrolleve dhe as nëse janë marrë masa ndaj pasagjerëve apo ekuipazhit.

Alarmet e reja vijnë pas një vale kërcënimesh të rreme për bomba që përfshiu të enjten të paktën 25 fluturime në vende të ndryshme europiane. Kërcënimet shkaktuan devijime avionësh, vonesa, kontrolle të jashtëzakonshme dhe, në disa raste, ndërhyrjen e avionëve ushtarakë.

Autoritetet e disa vendeve po hetojnë për të zbuluar origjinën e kërcënimeve dhe nëse ato kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Një ditë më parë, punonjësve të Aeroporteve të Romës dhe një kompanie private të logjistikës ajrore u ishte dërguar një email kërcënues.

“Ju jeni të gjithë bashkëpunëtorë në një komplot kriminal dhe për këtë duam t'ju shkatërrojmë. Pikërisht në këtë moment, në fluturimet e mëposhtme janë vendosur mjete shpërthyese: AY1751 Helsinki-Itali dhe EI402 Dublin-Itali”, thuhej në mesazh.

Menjëherë pas kërcënimit u angazhuan policia postare dhe policia aeroportuale, ndërsa avionë luftarakë të Forcave Ajrore italiane u ngritën për të kapur fluturimet e dyshimta.

Kërcënimi i një dite më parë rezultoi i pabazë, por këtë të premte alarmet janë përsëritur.

Lajmi në përditësim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›