E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Alarm sigurie në fluturimin Beograd-Moskë, në bordin e avionit krahu i djathtë i Vuçiçit

Një avion i kompanisë Air Serbia, që udhëtonte nga Beogradi drejt Moskës, u detyrua të kthehej në aeroportin e nisjes pasi autoritetet konstatuan nevojën për kontrolle shtesë të sigurisë ndaj një prej pasagjerëve.

Në bordin e avionit ndodhej edhe Aleksandar Vulin, kreu i Lëvizjes së Socialistëve dhe një prej aleatëve më të afërt të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Vulin konfirmoi se po udhëtonte drejt kryeqytetit rus për një vizitë zyrtare, ku do të punonte për zgjatjen e marrëveshjes së gazit mes Serbisë dhe Rusisë.

Avioni, që operonte në fluturimin JU134, u nis nga Beogradi në orën 18:48, por ndryshoi kurs mbi jugun e Lituanisë dhe u kthye në aeroportin Nikola Tesla. Sipas mediave serbe, Vulin kishte hipur në avion pa iu nënshtruar kontrollit të detyrueshëm të sigurisë. Shkelja u konstatua nga drejtori i sigurisë së korporatës në aeroport, Milan Kuç, i cili pasi shqyrtoi pamjet e kamerave të sigurisë urdhëroi kthimin e avionit.

Pas uljes në Beograd, Vulin u shoqërua jashtë avionit dhe iu kontrollua bagazhi. Në një prononcim për televizionin Informer, ai deklaroi se iu nënshtrua sërish të gjitha kontrolleve dhe se nuk u gjet asgjë e paligjshme. Edhe kompania Air Serbia konfirmoi se vendimi për kthimin e avionit u mor pas marrjes së informacionit nga autoritetet përkatëse të aeroportit, por pa bërë të ditur identitetin e pasagjerit.

Vulin njihet si një nga mbështetësit më të zëshëm të afrimit të Serbisë me Rusinë. Në janar të vitit 2024, presidenti rus Vladimir Putin e dekoroi me Urdhrin e Miqësisë për kontributin në bashkëpunimin mes shërbimeve sekrete serbe dhe ruse. Ai konsiderohet gjithashtu një nga ideologët kryesorë të projektit nacionalist serb të njohur si “Bota Serbe”, duke mbrojtur krijimin e një kombi të bashkuar politik serb.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›