“Albanian heart” lindi me një mesazh/ Rigersa Loka premton surprizën e madhe në skenën e Fest64

Rigersa Loka prezantohet për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH. Në këtë debutim ajo këndon “Albanian heart” me muzikë të Darko Dimitrov dhe tekst të Aida Barakut.
E ftuar në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, Rigersa tregon se ky projekt nisi me një mesazh kompozitorit Darko Dimitrov. “Unë kisha një ide për të bërë një këngë ndryshe nga çfarë kam bërë deri tani, zhanër tjetër, stil Eurovizioni, diçka të veçantë që nuk e kemi parë shpesh në festival. I shkrova vetë Darkos, pasi e njihja si emër dhe duke ditur çfarë produksionesh të mira bën. Kur ia thashë idenë ai ishte shumë dakord”.
“Albanian heart” i këndon dashurisë në gjuhë të ndryshme. “Ideja jonë ka qenë të bënim një këngë ku të përzihen disa gjuhë, shqip, frengjisht dhe anglisht për ta bërë pak më ndërkombëtare. Tematika e këngës është dashuria, për një vajzë që thërret në Shqipëri të dashurin e saj”, shpjegon këngëtarja.
Sipas saj, kënga është pritur shumë mirë sidomos nga publiku ndërkombëtar. “Ata që bëjnë reagime në Youtube e kanë pritur shumë mirë duke e futur këngën time në Top5”.
Pjesëmarrjen në Fest64, Rigersa ia kushton familjes së saj. “Ata kanë qenë mbështetja më e madhe. Nuk do kisha bërë asgjë që kam bërë deri tani pa familjen. Ata kanë qenë gjithmonë me idenë që unë të bëj një këngë ritmike. Janë shumë të lumtur. Madje dy motrat e mia të vogla këndojnë këngën gjithë ditën në shtëpi”.
Rigersa zbulon se në skenën e festivalit do të shoqërohet nga katër balerinë. “Koreografia do të jetë surpriza më e madhe për publikun. As unë nuk e kam pritur që di të kërcej. Luixhino Hala po merret me koreografinë. Uroj të na shkojë shumë mirë sepse është e vështirë në një skenë aq të madhe me orkestër të kesh mendjen te zëri dhe lëvizjet”.
Rigersa Loka është fituese e spektaklit të talenteve “X Factor Albania”. Ka nisur të këndojë që në moshën 5-vjeçare. Kur ishte tetë vjeçe ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Shkodrës. Për 9 vite ka mësuar violinë ndërsa ndjek studimet për kanto moderne.