Gjirokastër- “Exchange” për fajde dhe pastrim parash, sekuestrohen miliona lekë në cash, arrestohen 3 persona, një tjetër shpallet në kërkim

Një skemë e mirëfilltë e pastrimit të parave përmes dhënies së huave me fajde është goditur ditën e sotme nga Policia e Gjirokastrës. Finalizimi i operacionit të koduar “Trace the floë” (Gjurmo rrjedhën), ka çuar prapa hekurave tre pjesëtarë të një familjeje, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë dy vëllezër dhe djemtë e tyre, banues në fshatin Kordhocë të Lazaratit, të cilët akuzohen se përdornin dy pika këmbimi valutor (“Exchange”) në Tiranë dhe Gjirokastër si mbulesë për aktivitetin e tyre kriminal.
Skema dhe arrestimet
Pas një hetimi disamujor me metoda proaktive të drejtuar nga Prokuroria e Gjirokastrës, specialistët e Krimit Ekonomik zbuluan se paratë e përfituara nga aktivitete të dyshimta kriminale “pastroheshin” duke u dhënë me fajde (me përqindje të lartë fitimi) te persona të tretë.
Në pranga kanë rënë: R. K., 56 vjeç (organizatori dhe pronari i pikave “Exchange”); L. K., 59 vjeç (vëllai i tij); P. K., 28 vjeç (djali i 59-vjeçarit).
Ndërkohë, policia është vënë në ndjekje të shtetasit B. K., 27 vjeç (djali i pronarit 56-vjeçar), i cili aktualisht është në kërkim.
Përmasat e aktivitetit të kësaj familjeje dëshmohen edhe nga shumat e mëdha të parave cash që u gjetën gjatë kontrolleve në dy pikat “Exchange” dhe në banesat e tyre. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shumë që kap vlerën e qindra mijëra eurove në total:
26 963 200 lekë të reja;
132 760 euro;
42 596 dollarë amerikanë;
8 780 paund dhe 10 380 franga zvicerane;
Shuma të tjera në dollarë kanadezë dhe lira turke.
“Si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për provimin e një rasti të pastrimit të parave me burime të dyshimta, nëpërmjet huadhënies së tyre, me përqindje të lartë fitimi, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomio-Financiar, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, finalizuan operacionin “Trace the flow”. Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasi R. K., 56 vjeç, vëllai i tij, shtetasi L. K., 59 vjeç, si dhe djali i 59-vjeçarit, shtetasi P. K., 28 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i 56-vjeçarit, shtetasi B. K., 27 vjeç, të katërt banues në fshatin Kordhocë, Lazarat. Nga hetimet dyshohet se nëpërmjet 2 subjekteve “Exchange” në pronësi të 56-vjeçarit, në Gjirokastër dhe në Tiranë, 4 shtetasit jepnin me fajde, para të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale. Punohet intensivisht për kapjen e 27-vjeçarit.“, njofton policia.
Përveç parave, hetuesit kanë sekuestruar edhe 18 blloqe shënimesh – prova kyçe ku mendohet se shënoheshin emrat e personave që merrnin para me fajde dhe interesat përkatëse – si dhe 6 kompjuterë e celularë.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Katër familjarët do të përballen me akuzat e rënda për “Skema mashtruese dhe piramidale”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “Fshehje e të ardhurave”.
/rtsh.al/