Alergjitë e pranverës, dermatologia: Poleni dhe rrezatimi përkeqësojnë problemet e lëkurës

Me ardhjen e pranverës dhe rritjen e nivelit të polenit në muajin Mars, shumë persona përballen me alergjitë e stinës që ndikojnë edhe në lëkurë. Sipas dermatologes Laura Hyska, këto alergji mund të shkaktojnë kruajtje, skuqje dhe irritim të lëkurës, sidomos tek personat me lëkurë të ndjeshme.
“Në muajin Mars fillon edhe një rrezatim më i fortë i diellit dhe ndikojnë në problemet e lëkurës, që mund të jenë të formave të ndryshme. Mund të kemi kruarje, skuqje, puçrra, dermatite alergjike. Çdo gjë është specifike. Çdo rast ka trajtimin e duhur sipas problematikës”, u shpreh dermatologia.
Alergjenët në ajër mund të përkeqësojnë gjithashtu probleme të njohura të lëkurës si ekzema apo dermatiti atopik.
“Përkeqësohen duke u ekspozuar më shumë në diell dhe ambiente të hapura. Lëkura duhet të ketë gjithmonë e butë dhe e hidratuar, të lyhet vazhdimisht si për problemet kronike por edhe për ato akute që ndodhin gjatë kësaj periudhe”, tha dermatologia Hyska.
Dermatologia këshillon që gjatë kësaj periudhe të pastrohet rregullisht lëkura, të përdoren kremra hidratues dhe të shmanget ekspozimi i gjatë në ambiente me shumë polen, për të mbrojtur shëndetin e lëkurës.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/