Vizitë e veçantë e grupit të fëmijëve “Zogjtë e Manastirit” në Tiranë

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Me rastin e kremtimit të 7 Marsit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme priti grupin e fëmijëve “Zogjtë e Manastirit” nga Manastiri, në Maqedoninë e Veriut. Kjo vizitë e veçantë synon të forcojë lidhjet kulturore dhe gjuhësore me komunitetin shqiptar në rajon.
Manastiri ka një domethënie të veçantë për historinë tonë kombëtare, pasi aty u mbajt Kongresi i Manastirit, moment historik që bashkoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe forcoi themelet e identitetit kombëtar.
Të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit e tyre, fëmijët u mirëpritën nga kryeministri Edi Rama në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), si dhe nga zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Vilma Premti, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit Oriana Osmani dhe ambasadori Denion Mejdani.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ata vizituan shkollën 9-vjeçare “Dora D’Istria”, ku zhvilluan aktivitete të përbashkëta me nxënësit e shkollës, duke ndarë përvoja dhe duke krijuar miqësi të reja. Programi vijoi me aktivitete kulturore në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe përfundoi me një vizitë në Teatrin e Ri të Kukullave.
Kjo iniciativë, e ndërmarrë nga ambasada e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të ruajtur dhe promovuar gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin kombëtar tek brezat e rinj të komunitetit shqiptar në rajon. /j.p/