Alibali: Zonat e influences po riformatohen, jemi kthyer në kohën e para Luftës së Ftohtë

Pedagogu i të Drejtës Kushtetuese, Neritan Alibali, ka komentuar zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare, duke paralajmëruar se bota po rikthehet në logjikën e zonave të influencës të periudhës së para Luftës së Ftohtë.
“Po riformatohen zonat e influencës, po kthehemi te bota e Luftës së Ftohtë të para 30 viteve, ku zonat e influencës së ish-Bashkimit Sovjetik, ai ndërhynte sipas qejfit në Hungari, ndërhyri në Çekosllovaki, ndërhyri në Afganistan se i kishte zona të influencës, ndërkohë që SHBA ndërhynin ku të donin në të gjithë zonën e vet,” tha Alibali.
I pranishëm në studion e emisionit “3D” në RTSH, Alibali theksoi se edhe Europa në atë kohë nuk kishte pavarësi të plotë politike.
“Duhet ta pranojmë që edhe në Europë, të gjithë kryeministrat gatitu i rrinin dhe Europa ishte një vasal i bindur. Boshti i sigurisë, nga Europa që ka qenë tani, po zhvendoset në Azi-Paqësor, ku janë rrugët më të mëdha tregtare dhe ku janë fuqitë dhe superfuqitë bërthamore të botës,” u shpreh ai.
/rtsh.al/