E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Dosja "Delijorgji", vendimi për gjyqtarët, vetëm pas vërtetimit të akuzave

Tiranë- Vetëm pas gjetjes së provave, Ministria e Drejtësisë do të paraqesë përpara KLD-së kërkesën për procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës Apelit Usharak në Tiranë.

Përmes një njoftimi për shtyp, ministria ka reaguar sot në lidhje me tre gjyqtarët Shaqir Gradica, Naum Pejo e Ylli Minka, të cilët me një vendim të dhjetorit 2007 “liruan” nga akuza e kontrabandës së hekurit në dëm të shtetit në vlerë 1.2 milionë dollarë Mihal Delijorgjin.

Sipas burimeve zyrtare për tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Usharak në Tiranë, do të nisë një procedim disiplinor i rregullt “pavarësisht paragjykimeve dhe diskutimeve që shoqërojnë këtë rast.

“Ministri i Drejtësisë do të informojë në mënyrë të qartë e të detajuar gjyqtarët mbi faktet në ngarkim të tyre, si dhe mbi dokumentet që janë grumbulluar gjatë verifikimit të shkeljeve të pretenduara disiplinore nga inspektorati i KLD-së, me qëllim pritjen e pretendimeve me shkrim prej tyre dhe vlerësimin krahasues të këtyre pretendimeve ndaj konkluzioneve të inspektoratit të KLD-së”- thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas këtij vlerësimi, si dhe në respektim të të drejtave kushtetuese e ligjore të gjyqtarëve, Ministri i Drejtësisë do të çmojë dhe vendosë mbi kërkesën e përshtatshme që duhet depozituar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kërkesë e cila do të gjejë mbështetje vetëm në ligj dhe në prova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›