E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Alpinistët braktisi 20-vjeçarin në lartësinë 2600 metra në Alpet austriake, mes një stuhie dëbore

Në një lartësi prej 2.600 metrash, mes një stuhie të fortë dëbore dhe me temperaturat që po binin në nivele të rrezikshme, dy alpinistë gjermanë braktisën mikun e tyre 20-vjeçar, i cili ishte rraskapitur dhe shfaqte simptoma të hipotermisë, gjatë një ngjitjeje në Alpet austriake.

apinistete

Ngjarja ndodhi në itinerarin Königsjodler, në malin Hochkönig, në rajonin e Salzburgut, kur tre të rinjtë kishin vendosur të ngjiteshin në mal, pavarësisht paralajmërimeve për përkeqësimin e motit në zonë.

Para nisjes së tyre, një alpiniste i kishte paralajmëruar tre të rinjtë që të mos e ndërmerrnin ngjitjen kaq vonë gjatë ditës, pasi parashikimet meteorologjike paralajmëronin rënie të menjëhershme të temperaturave dhe reshje të dendura dëbore.

Tre të rinjtë gjermanë i injoruan këshillat dhe vazhduan rrugën. Kur më pas miku i tyre 20-vjeçar nuk mundi të ecte më, dy të tjerët e lanë pas. I riu arriti të kontaktonte shërbimet e emergjencës rreth orës 19:00, duke kërkuar ndihmë.

Kushtet e vështira atmosferike në zonë dhe errësira nuk lejonin dërgimin e një helikopteri, ndaj u organizua një operacion shpëtimi nga toka.

Gjithsej 11 shpëtues nisën ngjitjen drejt vendit ku ndodhej 20-vjeçari, duke u përballur me erëra të forta, reshje të dendura dëbore dhe temperatura jashtëzakonisht të ulëta. Gjatë gjithë operacionit, drejtuesit e ekipit të shpëtimit malor mbajtën kontakt telefonik me të riun e bllokuar, duke i dhënë udhëzime për të qëndruar i sigurt.

Shpëtuesit e këshilluan 20-vjeçarin të vazhdonte të lëvizte për të kufizuar rrezikun e përkeqësimit të hipotermisë, por i kërkuan të mos tentonte në asnjë rrethanë të zbriste i vetëm nëpër shpat.

Më në fund, pak para mesnatës, ekipet e shpëtimit arritën pranë 20-vjeçarit, pas një ngjitjeje jashtëzakonisht të vështirë. Gjatë saj, atyre iu desh të përdornin kramponë (pajisje metalike me dhëmbëza të mprehta që sigurojnë kapje gjatë ecjes mbi akull) për të lëvizur në terrenin e ngrirë.

Zbritja rezultoi edhe më e rrezikshme, pasi ndërkohë ishin grumbulluar rreth 20 centimetra dëborë e freskët, duke zhdukur gjurmët e itinerarit. I riu u sigurua me litar, ndërsa shpëtuesit duhej të përballeshin me rrezikun e rrëshqitjes në shpatet e thepisura dhe me ortekët e vegjël që shkaktoheshin në zonë.

“Ishte një kërcënim për jetën e të gjithëve”, deklaruan shpëtuesit, duke përshkruar kushtet e operacionit.

Ekipi arriti më në fund në kasollen malore Erichhütte në orën 08:18 të mëngjesit, mes reshjeve të dendura të dëborës dhe me shikueshmëri shumë të kufizuar. Pas përfundimit të operacionit, policia malore austriake nisi një hetim për rrethanat e ngjarjes.

Destinacioni fillestar i tre alpinistëve ishte streha Matrashaus, e cila ndodhet në një lartësi prej gati 3.000 metrash, në majën e Hochkönig. Megjithatë, kjo strehë është e mbyllur gjatë kësaj periudhe dhe pritet të rihapet në qershor.

Përgjegjësit e shërbimit të shpëtimit malor theksuan se kjo ngjarje nxjerr në pah rreziqet që vijnë nga mbivlerësimi i aftësive të alpinistëve, shpërfillja e paralajmërimeve dhe planifikimi i pamjaftueshëm i një itinerari. Gjithashtu, ata nënvizuan se vendimi në kohë për t’u kthyer mund të parandalojë një tragjedi, veçanërisht në zonat malore, ku kushtet atmosferike ndryshojnë papritur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›