Ambasada amerikane: Vetëm vizat B1/B2 të vlefshme ose të skaduara rishtazi rinovim pa intervistë

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë informoi se, duke filluar nga data 2 shtator 2025, do të ketë ndryshime në procedurat për aplikimin për vizë.
Sipas njoftimit zyrtar, vetëm vizat e tipit B1/B2 (për biznes dhe turizëm) që janë ende të vlefshme ose që kanë skaduar jo më shumë se 12 muaj më parë, do të mund të rinovohen me postë.
Për të gjitha kategoritë e tjera të vizave, përfshirë edhe ato B1/B2 që nuk përmbushin kriteret e mësipërme, do të kërkohet një intervistë në Ambasadë, me përjashtim të disa rasteve të veçanta të udhëtimeve qeveritare.
Ambasada u bën thirrje aplikuesve që të kontrollojnë informacionin më të fundit në faqet zyrtare.
“Nxisim aplikuesit për vizë të kontrollojnë faqen e ambasadës al.usembassy.gov dhe travel.state.gov për informacion më të detajuar mbi kërkesat dhe procedurat e aplikimit për vizë, si dhe për t’u informuar mbi statusin e funksionimit dhe shërbimet e ambasadës”, bën të ditur Ambasada.

/a.f/r.e/