E Martë, 3 Nëntor 2026

Ambasada e Italisë ceremoni me rastin e Festës së Republikës

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Ambasada e Italisë në Tiranë organizoi sot një pritje me rastin e Festës së Republikës.

Të pranishëm në ceremoni ishin të ftuar personalitete të larta të shtetit, si Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi rama, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të trupit diplomatik, medias si figura të artit dhe kulturës.

Në fjalën e tij ambasadori italian, Marco Alberti u shpreh se me fjalën e ardhmja Shqipëria dhe Italia duan të ndërtojnë dialogun mes tyre.

“Festa e sotme, si e gjithë Java e Kulturës italiane, flet për të ardhmen. Të ardhmen e vendeve tona, të ardhmen e popujve tanë, të ardhmen e brezit të ri. E ardhmja, më shumë se sa e shkuara, ndikon mbi të tashmen. Të imagjinosh të ardhmen do të thotë të bësh zgjedhje të cilat rregullojnë marrëdhëniet midis njerëzve dhe Vendeve, duke i bërë ato strategjike. Prandaj zgjodhëm që himnet të interpretoheshin nga të rinjtë, sepse ata janë e ardhmja jonë”, theksoi ai.

“Paqja është hapi i parë drejt së ardhmes. Paqja nuk është një mrekulli. Siç ka thënë edhe Presidenti Mattarella, “paqja është fryt i një marrëdhënieje të kujdesshme midis popujve”. Në këto kohëra të vështira Italia mbështet, me bindje e këmbëngulje, përpjekjet për paqe: në Ukrainë, në Lindjen e Mesme e kudo tjetër në botë. Pa paqe nuk ka të ardhme e pa bashkëpunim nuk ka paqe; por nuk ka bashkëpunim pa veprim. Nuk është shpresa ajo që vë në lëvizje veprimin; është veprimi ai që sjell shpresë. Për ne dhe për të tjerët. Bashkëpunim do të thotë të veprosh së bashku. Kështu duam ta festojmë Italinë: një popull që vepron; një popull që 79 vite më parë ka zgjedhur të sjellë në jetë Republikën”, tha Alberti.

Ambasadori nënvizoi se, Italia është e angazhuar të bashkëpunojë me Shqipërinë duke u bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore; në shkëmbimin e njohurive e aftësive; në vullnetin për të realizuar projekte të afta të prodhojnë begati e zhvillim gjithpërfshirës; në reformat e nevojshme për të ecur përpara, drejt Evropës e më tej”.

“Zemë vendin e parë në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë; numërohen më shumë se 3000 ndërmarrje italiane, kryesisht të vogla e të mesme, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorë të ndryshëm; nga ai energjetik në atë të shëndetësisë, nga ai mbrojtjes në atë të infrastrukturës, nga ai i agrobiznesit në atë tekstil. Por synimi ynë nuk është të qenit investitorë të thjeshtë, apo tregtarë, por partnerë”, shtoi ai.

“Këtë synojnë 45 projektet e bashkëpunimit për zhvillim me lëvrimin e mbi 320 milionë eurove; këtë synon bashkëpunimi i policisë gjyqësore me 14 skuadrat hetimore të përbashkëta; idenë e partneritetit e përqafojnë edhe 130 marrëveshjet e bashkëpunimit ndëruniversitar. Në fund, kultura: në kohën e hard power-it, është pikërisht momenti i soft power-it. Për Italinë bashkëpunimi kulturor është një mundësi e shkëlqyer për dialog dhe partneritet me Shqipërinë; mbi 150 nisma të realizuara në 2024 e, për këtë vit, 84 deri tani”, tha Alberti.

Ai theksoi se, “ka ende potencial të jashtëzakonshëm e të paeksploruar të cilin duam ta shfrytëzojmë duke punuar në tre drejtime kryesore: bashkëpunim, të projektosh e të veprosh së bashku, pra jo Italia në Shqipëri por Italia me Shqipërinë; diversifikim, eksplorim i mundësive të reja, i sektorëve të rinj dhe hapësirave të reja, pasi potencialet përftohen duke eksploruar; në fund edukim, për të edukuar së bashku brezat e rinj të udhëheqësve, të hapur ndaj së ardhmes”.

“Nuk duam të jemi të përsosur sepse është e pamundur; duam të jemi të pandalshëm, në mënyrë që marrëdhëniet e shkëlqyera mes Italisë e Shqipërisë të shndërrohen në një partneritet strategjik, të vetëdijshëm për angazhimin, besimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë që ky objektiv i rëndësishëm kërkon”, shtoi ambasadori Alberti, teksa theksoi se, “një partneritet ndërtohet së bashku”.

Pra, vijoi ai, “do të kemi nevojë për të gjithë ju. Për bashkëatdhetarët tanë, të cilët i përshëndes me përzemërsi, e i falënderoj për kontributin e tyre në zhvillimin e Shqipërisë në fusha të ndryshme por edhe që sjellin Italinë në këtë Vend. Do të kemi nevojë për sipërmarrjet tona, të vogla por edhe të mëdha, shprehje e një modeli që bazohet tek inovacioni, fleksibiliteti dhe efikasiteti. Përfitoj nga rasti të falënderoj sponsorët tanë, të përfaqësuar këtu me logot përkatëse. Pa ata ky event nuk do të ishte i mundur dhe prania jonë këtu në Shqipëri nuk do të ishte aq domethënëse”

“Do të kemi nevojë gjithashtu për partnerët tanë shqiptarë, qofshin këta shtetërorë apo privatë; partnerë që të besojnë tek Italia e të na ndihmojnë në fuqizimin e pranisë sonë në këtë Vend, duke krijuar vlera të përbashkëta e duke ndërtuar një të ardhme në familjen evropiane e cila ju pret! Do të mundohemi të bëjmë gjithmonë më të mirën. Gjithmonë. Ky është një premtim. Ky është premtimi i Italisë në ditën e Festës së saj”, përfundoi ambasadori Alberti.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në një postim në rrjetet sociale uroi Festën e Republikës së Italisë.

“Gëzuar Festën e Republikës, Itali! Në mirëpritjen elegante të Ambasadorit Marco Alberti”, shkroi Spiropali.

Ditën e Republikës e uroi edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili në rrjetet sociale u shpreh, kjo sihte një festë e rëndësishme për një vend mik e partner të çmuar të Shqipërisë

“Gëzuar Ditën e Republikës, Itali! Një festë e rëndësishme për një vend mik e partner të çmuar të Shqipërisë.  Urime popullit italian dhe të gjithë miqve tanë në Itali”, shkroi Manja.

Republika Italiane lindi më 2 qershor 1946, me referendumin e thirrur për të zgjedhur formën institucionale për t’i dhënë vendit, i cili shënoi edhe hyrjen e grave në jetën politike italiane.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›