Ambasada e SHBA, thirrje shtetasve amerikanë për kujdes në zonat e rrezikuara nga përmbytjet

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë sot thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat, shton ambasada, po përkeqësohen.
Ambasada njofton se vazhdon të monitorojë përmbytjet në të gjithë vendin, teksa shton se, disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi.
“Përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbylljen e rrugëve për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut”, nënvizon ambasada.
Qytetarët amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë mund të kontaktojnë Ambasadën e SHBA-së me telefon në 4224-7285 (duke telefonuar nga Shqipëria) ose +355-4224-7285 (duke telefonuar nga jashtë Shqipërisë), ose me email në: ACSTirana@state.gov.
Sa i takon veprimeve që duhen ndërmarrë, ambasada thekson se qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato nën urdhër evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljen e rrugëve ose ndërprerjet e trafikut.
Ambasada këshillon qytetarët që të monitorojnë lajmet lokale për përditësime mbi kushtet e përmbytjeve dhe të planifikojnë rrugët në përputhje me rrethanat.
Google Maps gjithashtu mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljen e rrugëve dhe përmbytjet, thekson amabsada, teksa këshillon qytetarët që të mos të përpiqen të kalojnë nëpër zona që janë prekur nga përmbytjet dhe të kërkojnë një rrugë alternative ose të marrin në konsideratë shtyrjen e udhëtimit nëse një rrugë alternative nuk është e disponueshme.
Ambasada inkurajon fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale.
Nëse kanë një emergjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, qytetarët janë të lutur të telefonojnë në 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit. Gjithashtu mund të kontaktojnë Emergjencën Kombëtare në info@urgjenca.gov.al (http://urgjenca.gov.al/).
/gj.m/j.p/