Ambasadori Tarran dhe Ministri Lamallari riafirmojnë partneritetin për reformën në drejtësi

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, u takua sot me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, për të riafirmuar partneritetin e fortë mes prezencës së OSBE-së dhe institucioneve shqiptare në mbështetje të reformave në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.
Në fokus të bisedës ishte zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, e nisur më 2016. Ambasadori theksoi rëndësinë e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024–2030, forcimin e institucioneve si SPAK, Gjykatat e Posaçme dhe Gjykata Kushtetuese, si dhe avancimin e shërbimeve si Ndihma Juridike Falas dhe Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror.
Një tjetër temë kyçe ishte përdorimi i arrestit në burg, për të cilin Ambasadori Tarran shprehu shqetësim mbi aplikimin e tij të tepruar dhe theksoi mbështetjen e OSBE-së për alternativa si Shërbimi i Provës, si dhe për përmirësimin e legjislacionit dhe trajnimin e stafit penitenciar.
Ministri Lamallari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e OSBE-së dhe shprehu angazhimin e plotë për bashkëpunim të mëtejshëm në përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie më transparent, të përgjegjshëm dhe efikas në Shqipëri.
/rtsh.al/