E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministrja Ibrahimaj: Kapitali njerëzor, sfida kryesore për integrimin dhe planin e rritjes së BE-së

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi sot në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë se çelësi për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme në rajon është kapitali njerëzor i kualifikuar.

Në panelin “Mundësitë e investimeve në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e ri gjeopolitik,” Ibrahimaj paralajmëroi se, “pavarësisht hartimit të ligjeve dhe rregulloreve të reja, ato nuk do të funksionojnë pa investuar te punonjësit”.

“Pjesa më e rëndësishme, aspekti më thelbësor që duhet trajtuar, janë burimet njerëzore. Ligjet, rregulloret dhe institucionet nuk qëndrojnë të pavarura në vetvete, nëse nuk investojmë te burimet njerëzore,” deklaroi ministrja. Ajo e lidhi këtë sfidë drejtpërdrejt me integrimin në Bashkimin Evropian dhe suksesin e Planit të Rritjes së hartuar nga BE-ja.

Sektori i teknologjisë dhe sfida demografike

Ibrahimaj vuri në dukje sektorë me potencial të madh, veçanërisht energjetikën, e cila është jetike për sigurinë rajonale dhe evropiane, si dhe sektorin e Teknologjisë së Informacionit (TIK). Sektori i TIK-ut ka shënuar një rritje të pagave me mbi 100% vitet e fundit, por kërkon kapital njerëzor shumë të specializuar.

Ministrja ngriti shqetësimin për sfidat demografike dhe emigracionin, duke argumentuar se rritja e pagave është e vetmja mënyrë për të frenuar largimin e trurit. Megjithatë, ajo theksoi dilemën strategjike të vendit:

“Një nga avantazhet konkurruese të Shqipërisë ka qenë kostoja më e ulët dhe paga më të ulëta. Në diskutimet që bëjmë për të frenuar emigracionin… duhet të gjejmë mënyrën që të jemi konkurrues dhe atraktivë për investime, pa u mbështetur te krahu i lirë i punës.”

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe inovacioni

Përtej TIK-ut dhe energjetikës, ministrja theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë, duke i lidhur të gjithë sektorët me nevojën për inovacion dhe teknologji.

Në mbyllje, Ibrahimaj foli për rëndësinë e transformimeve të gjelbra dhe ekonomisë rrethore, duke kërkuar një model zhvillimi që krijon vlerë në vend dhe nuk varet nga përdorimi intensiv i burimeve.

“Duhet të sigurohemi të ndërtojmë vlera, të shtojmë vlera në vend, nëse duam të jemi konkurrues dhe t’i japim vlerë Evropës,” përfundoi ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›